Ylli i Barcelonës, Jules Kounde, ka folur rreth ndeshjes së nesërme (e shtunë) ndaj Real Madridit, më saktë është ndalur për të diskutuar për duelin e tij me Vinicius Junior.
Reprezentuesi francez deklaroi se do të duhet një punë ekipore për të ndalur brazilianin i cili tashmë konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të mirë në botë dhe është favoriti kryesor për ta fituar Topin e Artë këtë vit.
Vinicius ka shkëlqyer në Spanjë dhe në Evropë gjatë sezoneve të fundit, duke qenë njëri prej lojtarëve kyç të Real Madridit në sukseset e tyre.
Ai ka shënuar 91 gola dhe ka dhuruar 82 asistime në 278 ndeshje në të gjitha garat duke bërë më shumë se 10 gola/asistime në secilin prej tri sezoneve të fundit.
Formën e tij të mirë ai e ka bartur edhe këtë sezon ku deri më tani ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar shtatë asistime në 14 ndeshje në të gjitha garat.
Në një intervistë para ndeshjes, Kounde foli për planin që ka ekipi i tij për ta ndalur Viniciusin në këtë takim.
“Vinicius është me shumë mundësi rreziku më i madh, por ata kanë edhe lojtarë të tjerë. Është një ekip me shumë talent, lojtarë të cilët mund të vendosin personalisht ndeshjet”.
“Vinicius nuk është një lojtar të cilin mund ta ndal vetëm një person, veçanërisht për 90 minuta. Ai nuk ndalet dhe definitivisht do të ketë momente kur do të kem nevojë për ndihmë”, ka thënë Kounde.
“Kjo është normale sepse në fund është një sport ekipor. Është një sfidë sepse unë do të jem në krahun e tij pothuajse gjatë tërë kohës, por është gjithashtu një përpjekje ekipore dhe besoj se do të bëjmë mirë”, përfundoi ai./Telegrafi/