Startseite » Shkon në mbi 200 numri i viktimave nga vërshimet në Spanjë
Lajme

Shkon në mbi 200 numri i viktimave nga vërshimet në Spanjë

Numri i viktimave nga vërshimet katastrofike në Spanjë është rritur në 205 më 1 nëntor, teksa ekipet e shpëtimit kanë hapur një morg të improvizuar në Valencia për të vendosur trupat e viktimave.

Në Valencia, rajonin lindor të Spanjës që është goditur më së rëndi nga vërshimet, afër 500 ushtarë janë dislokuar për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe për të ndihmuar të mbijetuarit.

Zyrtarët spanjollë thanë se numri i viktimave me gjasë do të rritet. Vërshimet, që u shkaktuan nga reshjet e dendura të shiut, janë fatkeqësia më e rëndë në historinë moderne të Spanjës dhe më vdekjeprurëset në Evropë që nga vitet ’70.

Ekipet e shpëtimit po punojnë po ashtu për të pastruar rrugët dhe për të gjetur më shumë njerëz që besohet se janë të bllokuar në zonat e përmbytura.

“Ne po tentojmë që të largojmë veturat për të parë nëse ka më shumë viktima”, tha një nga pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit gjatë një prononcimi për televizionin publik spanjoll.

Për shkak të fatkeqësisë natyrore, rreth 75.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike dhe zjarrfikësit po marrin karburante nga makinat e braktisura të banorëve që janë evakuuar për të mbushur gjeneratorët, në mënyrë që të mund të vazhdojnë të operojnë në zonat e vërshuara.

Reshjet e shiut nisën të martën mbrëma dhe shkaktuan shkatërrimin e rrugëve, të linjave hekurudhore dhe urave, teksa lumenjtë dolën nga shtretërit e tyre.

Përderisa niveli i ujit është ulur në shumicën e pjesëve të Valencias, ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur të shkojnë në disa zona, për shkak të rrugëve të bllokuara.

Numri i viktimave nga vërshimet në Spanjë është më i larti në Evropë që nga viti 1970, kur në Rumani kishin vdekur 209 persona.

Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë.

Meteorologët besojnë se ngrohja e Mesdheut, që rrit avullimin e ujit, luan rol kyç që shirat të bëhen më të rrëmbyeshëm./REL