Startseite » Juventusi “zyrtarizon” afrimin e Guler
Sport

Juventusi “zyrtarizon” afrimin e Guler

Një postim i papritur u shfaq në faqen e Juventusit këtë të hënë, në platformën “X”.

Në një njoftim të klubit bardhezi, bëhej i ditur afrimi i yllit të Real Madrid, Arda Guler.

“Mirë se erdhe Arda Guler! Ylli që po rritet në futboll është tashmë pjesë e familjes së Juventusit. Gati për të shkruar historinë bashkë në këtë udhëtim?”, shkruhej në postimin e Juventusit, që bëri menjëherë bujë të madhe.

Megjithatë, ky ka qenë një postim i rremë dhe lajmi për transferimin nuk është i vërtetë. Klubi italian, në një reagim zyrtar të bërë, thotë se faqja në platformën “X” është hakeruar dhe po punohet për ta rikthyer në normalitetin e mëparshëm.

Në fakt gjithçka u kuptua që në fillim, pasi kishte shumë gjëra që nuk shkonin, ku kryesorja është se merkato është e mbyllur dhe nuk mund të bëhen lëvizje në këtë kohë.