Ministria e Jashtme Ruse tha ditën e Mërkure se ishin bërë shënjestër e një sulmi të rëndë kibernetik në prag të nisjes së Samitit të BRICS që do të mbahet në këtë vend.
Ministria tha se ishte goditur nga një sulm në DDoS në shkallë të gjerë. “Një sulm masiv kibernetik nga jashtë filloi këtë mëngjes ndaj infrastrukrurës së uebsajtit zyrtar,” tha zëdhënësja e Ministrisë Maria Zakharova.
Ajo theksoi se institucioni në mënyrë të përsëritur është goditur nga sulme të tilla por i sotmi ishte i paprecedent për nga madhësia.
Samiti i BRICS shihet si një manifestim i influencës Ruse në botë pavarësisht sanksioneve Amerikane dhe po mbahet në datat 22-24 Tetor në Kazan të Rusisë. /PCWorld Albanian